Kategori
java

Zgjedhja mes Angular apo React

Zgjedhja mes Angular apo React: Cili i përshtatet më mirë projektit tuaj? Në dilemën mes zgjedhjes së platformës front-end për zhvillimin e aplikacionit tuaj mobile, mund t’ju vijë në ndihmë një përshkrim krahasues, i përmbledhur në këtë artikull.

Image by StartupStockPhotos from Pixabay

Në fushën e programimit, Angular dhe React janë dy ndër platformat më të rëndësishme të bazuara në JavaScript, për pjesën e front-end. Sipas një studimi të Stack Overflow Developer Survey 2018, Angular dhe React, së bashku me Node.js formojnë tre platformat më të përdorura nga të gjithë zhvilluesit software.

Këto dy platforma janë shumë afër me popullaritet. Për më tepër, të dyja kanë arkitekturë të ngjashme, dhe bazohen në JavaScript. Por cila është diferenca mes tyre. Le t’i vëmë në një përballje, duke u nisur nga aspekte të ndryshme të tyre.

Angular apo React.js : një përshkrim i shkurtër

Angular është një platformë për zhvillim front-end, e mundësuar nga Google. Ajo përshtatet me shumicën e editorëve të kodimit. Angular është pjesë e MEAN ( MongoDBExpress.jsAngular, dhe Node.js), një set mjetesh pa pagesë dhe me kod të hapur, të bazuar në JavaScript. Angular lejon ndërtimin e faqeve dinamike. Në këtë artikull do i referohemi me Angular, versionit më të fundit Angular 2+. Angular përdoret nga Forbes, WhatsApp, Instagram, HBO, Nike, si dhe shumë website tjerë të njohur.

React.js është një librari me kod të hapur. Ajo u krijua nga Facebook, në vitin 2011. React u përdor që në fillim për krijimin e ndërfaqeve dinamike. React bazohet në JavaScript dhe JSX, duke formuar një zgjerim e PHP. React ka një platformë më vehte për aplikacionet mobile, të quajtur React Native. React përdoret nga Netflix, PayPal, Uber, Twitter, Udemy, Reddit, Airbnb, Walmart, si dhe shumë website të tjerë.

Mjetet në dispozicion: Framework apo librari

Ndërkohë që Angular është një framework e mirëfilltë, React është një librari. Me Angular, ju keni gati të gjitha mjetet që ju duhen për të nisë projektimin e aplikacionit. Me React, ju duhen disa integrime dhe disa mjete shtesë për tia shtuar kësaj librarie.

Angular

Angular vjen me këto module:

  • RxJS është një librari për programimin asinkron, i cili zvogëlon përdorimin e resurseve, duke i caktuar disa kanale komunikimi për shkëmbimin e të dhënave. Avantazhi i i përdorimit të RxJS është se lejon trajtimin simultan të eventeve. Problem për përdorimin e RxJS është fakti se ju duhet të mësoni këtë librari, para se ta përdorni në Angular.
  • Angular CLI është një ndërfaqe e rëndësishme command-line e cila ndihmon në krijimin e aplikacioneve, në shtimin e skedarëve të rinj, në fazën e testimit dhe në fazën e lancimit të aplikacionit.
  • Ivy renderer është një gjeneratë e re e Angular rendering engine, e cila rrit ndjeshëm performancën e aplikacioneve në Angular.
  • Angular Universal është teknologjia e përdorur për server-side render. Ky mjet funksionon kështu: Paraqet faqen kryesore të aplikacionit web ose aplikacionit Mobile, duke munëdsuar pamjen edhe në paisje të tilla si paisje mobile të cilat mund të mos kenë resurse për pamjen paraprake nga browseri.

Editorët që mund të përdorni gjatë programimit me Angular janë : Aptana, WebStorm, Sublime Text, Visual Studio Code.

React

React kërkon disa integrime dhe suport shtesë për të shfrytëzuar funksionalitetin e plotë. Mjete të tilla janë:

  • Redux: një mbajtës i gjendjes, i cili përshpejton punën e React në rastet a aplikacioneve të mëdha. Redux menaxhon komponentët e aplikacionit në mënyrë dinamike. Gjithashtu, React përdor edhe një version më të gjerë të Redux, që përfshin Reselect (një librari për Redux) dhe Redux DevTools Profiler Monitor.
  • Babel: një trans-kompilator i cili konverton JSX në JavaScript, që aplikacionet të kuptohen nga browseri.
  • Webpack: meqë të gjithë komponentët shkruhen në skedarë të ndryshëm, paraqitet nevoja ti mbledhim në një bundle, që të menaxhohen më mirë. Webpack është bundler standart.
  • React Router: një librari standarte për routim të URL.

Editorët kryesorë që mund të përdorni për të koduar në React janë : Visual Studio Code, Atom, dhe Sublime Text. Sidoqoftë,  me Angular apo React, nuk jeni aspak të limituar në zgjedhjen e editorit.

Kodi: TypeScript apo JavaScript dhe JSX

Angular përdor gjuhën TypeScript, por ju mund të përdorni edhe JavaScript nëse ju duhet. TypeScript ngjan me JavaScript dhe përdoret për projekte më kompleks. Ajo është më kompakte dhe lejon dallimin e gabimeve sintaksore ndërkohë që shkruani kodin. Duke qenë më kompakte, e përshkallëzueshme dhe elegante, TypeScript është perfekt për projekte të mëdha me mundësi përshkallëzimi.

React përdor JavaScript ES6+ dhe skripte në JSX, e cila është një Extension për sintaksën e JavaScript, që të thjeshtohet kodi i UI, dukë bërë që JavaScript të ngjajë me HTML. Përdorimi i JSX  thjeshton kodin, bën më të lehtë gjetjen e gabimeve dhe rrit sigurinë. JSX përdoret për kompilim të browser, nëpërmjet Babel, i cili është një kompilator që përkthen kodin në një format të lexueshëm për web browser. Sintaksa e JSX kryen thuajse të njëjtat funksione si TypeScript, por disa programuesve nuk arrijnë ta mësojnë pasi iu duket shumë e komplikuar.

Portabiliteti: NativeScript apo React Native

Të dyja këto platforma vijnë me mjete shtesë që i lejojnë inxhinierët software të kalojnë aplikacionet Web në aplikacione Mobile. Për Angular vjen në ndihmë NativeScript, ndërsa për platformën React përfshihet React Native si mjet kryesor në ndërtimin e aplikacioneve Mobile.

NativeScript  është një platformë ndihmëse për programimin Mobile, e cila përdor TypeScript si gjuhën bazë. Ndërfaqja e përdoruesit është e ndërtuar me XML dhe CSS. Ky mjet të lejon të ndash kodin me 90% të sistemeve iOS dhe Android, duke përshtatur të njëjtën logjikë biznesi të aplikacioneve Web në aplikacionet mobile me UI. E gjithë filozofia pas NativeScript është shkrimi i një UI të vetme për aplikacionet Mobile, me pak modifikime shtesë për platformën ku do përdoret. Ndryshe nga aplikacionet hibride, të cilat përdorin WebView rendering, platforma e NativeScript ekzekuton aplikacionin në makina virtuale të javaScript, dhe lidh direkt me API në Mobile, duke garantuar kështu një performancë të lartë në krahasim me native Apps.

React Native është një platformë ndihmëse për implementimin e aplikacioneve Mobile, e cila gjithashtu merr portabilitetin nga Web. React Native ka një trajtim tjetër të aplikacionit, në krahasim me NativeScript: komuniteti i ReactNative nxitet të shkruajë UI të ndryshme për platforma të ndryshme, dhe nga kjo ka marrë dhe moton “ Learn Once, Write Everywhere” , pra “Mëso një herë, Aplikoje kudo”. Kjo do të thotë se React Native e ndan kodin me rreth 70% të platformave. ReactNative lidhet direkt me API, por kërkon layer-a shtesë për të lidhur kodin në JavaScript me kontrollerat e vetë sistemit Mobile.

CILËN PLATFORMË DUHET TË ZGJIDHNI?

Ideja bazë e Angular është të ju mundësojë një suport dhe një set me mjete për një eksperiencë vizuale të shkëlqyer. Azhornimet më të fundit si dhe suporti nga Google tregojnë më së miri se inxhinierët software synojnë të ruajnë këtë komunitet, dhe të nxitin kompanitë të kalojnë nga AngularJS në Angular2+. Ky version i fundit i Angular sjell aplikacione me performancë më të mire, dhe që nxënë më pak hapësirë memorieje.

TypoScript rrit mirëmbajtjen e kodit, gjë që ka shumë rëndësi në momentin kur arrin në përshkallëzim të aplikacioneve Mobile. Cmimi për këtë faktor është vështirësia në të mësuar, dhe synimi për të kaluar drejt programimit në React.

React ofron shumë lehtësi për programuesit, duke i bërë të zhvillojnë aplikacione pa pasë nevojë të mësojnë shumë gjëra të reja. Libraria nuk dikton mjetet dhe mënyrat, përkundrazi ofrohen disa instrumente, si Redux, të cilat mund të mësohen lehtësisht. Aktualisht, React krahasohet në terma performance me Angular.

Konkluzion

Në përgjithësi ne zgjedhjen Angular apo React, të dy këto platforma janë një zgjidhje mjaft e mirë, nëse doni të ekzekutoni aplikacionin tuaj edhe në Web Browser, edhe si Mobile App.

Me Angular, do jeni më të fokusuar në zvogëlimin e kohës së hedhjes në treg të aplikacionit.

Me React Native, koha e zhvillimit të aplikacionit mund të jetë më e gjatë, por performanca është shumë afër me aplikacionit native.