Kategori
java

5 projektet më të mira në GitHub në Java

Në përmbyllje të një cikli leksionesh në Java, natyrshëm më vjen të motivoj studentët  me disa nga projektet më të mira që ofrohen në GitHub në Java. Po ndaj me ju këtë artikull i cili është një përmbledhje e pesë projekteve më të njohur në GitHub, në gjuhën Java.

GitHub përmban shumë projekte në Java,saktësisht 744K. Duke filluar me Mockito e duke përfunduar me Guava, më poshtë po përshkruaj disa nga repositories e GitHub.

  1. Mockito

    Emrin e ka të ngjashëm me ndonjë pije, por në fakt Mockito është një framework i njohur për njësitë testuese në Java, pikërisht të ashtuquajturat unit tests.

    GitHub ne Java
    Logo e Mockito https://site.mockito.org/

    Mockito vazhdimisht ofron azhornime, duke përdorë librarinë Shipkit. Mockito mund të përdoret së bashku me JUnit. Ajo lejon të krijoni dhe të konfiguroni objektet mock. Përdorimi i Mockito thjeshton zhvillimin e testimeve për klasat me varësi nga librari të jashtme.

    Mockito bën testimin në këto faza:
    -Shmang varësitë e jashtme, dhe vendos objekte mock në kodin që do testohet.
    -Ekzekutohet kodi në njësinë testuese.
    -Kontrollohet nëse kodi është ekzekutuar saktësisht.

  2. java-design-patterns

    Ka pak kohë që nuk i kam përmendur modelet e dizenjimit në Java. Por projekti Java Design Patterns ne GitHub është fiks i duhuri për të lejuar zhvilluesit të implementojnë modelet e dizenjimit në Java.

    Këto modele dizenjimi janë praktikat më të mira që ndihmojnë zhvilluesit të zgjidhin problemet më të zakonshme gjatë ndërtimit të aplikacionit në Java. Gjithashtu këto modele të dizenjimit përshpejtojnë procesin e zhvillimit të aplikacionit në Java, duke mundësuar paradigma të testuara dhe të provuara të zhvillimit.

  3. RxJava

    Besoj se keni dëgjuar për RxJava si një nga aplikacionet më të njohur në GitHub, madje si një framework mjaft i njohur për disa kohë. Ky projekt është i bazuar në ReactiveX API.

    GitHub
    Logo e RxJava http://reactivex.io/

    RxJava është një librari e cila shërben për ndërtimin e aplikacioneve asinkrone dhe të bazuar në evente.

    RxJava është një zgjerim i modelit Observer, i cili mbështet pikërisht rradhën e ngjarjeve dhe të dhënave. Gjithashtu këtu përfshihen edhe operatorë të cilët lejojnë programuesin të ndërtojë sekuenca të tilla si sinkronizime thread, siguria e thread-eve konkurente, etj.

  4. MPAndroidChart

    MPAndroidChart është një librari mjaft e thjeshtë në përdorim, e cila mundëson krijimin e grafikëve në zhvillimin e aplikacioneve në Android, të cilat ekzekutohen në API 8 ose më lart. Me anë të MPAndroidChart, zhvilluesit mund të ndërtojnë një seri grafesh për aplikacionet në Android.

    Grafikët janë në formatet më të njohura si LineChart, BarChart (Vertikal, horizontal, i grupuar) PieChart, ScatterChart, CandleStickChart(për të dhënat financiare) RadarChart, BubbleChart dhe CombinedChart.

  5. Guava

    Kjo librari e Google për Java ka ekzistuar prej vitesh, por ende është një mjet mjaft popullor, me kod të hapur, dhe mjaft i përdorur nga programuesit në Java.

    Guava do ju kursejë mjaft kohë duke ofruar klasa të nevojshme, duke jua bërë Java-n më të thjeshtë, sidomos në strukturat e të dhënave si collections. Renditja e kësaj strukture shpesh do ju duket e vështirë, por një funksionalitet i Guava do ju lejojë të krahasoni përmbajtjen e collections me një renditje dhe një funksion krahasues ComparisonChain.

Si përfundim, ju sugjeroj të kërkoni detaje të tjera rreth këtyre projekteve, si dhe të hidhni një sy drejt GitHub, për repos të tjerë në Java.