Drejt punësimit si programues ne Java

Në këtë artikull do pëshkruaj disa aftesi dhe sugjerime qe duhet t’i zoteroni per punësim si programues ne Java, menjëherë pas diplomimit.
Kompanitë e programimit kërkojnë cdo ditë e më tepër staf me aftësi të mira teknike dhe komunikuese. Një balancë e drejtë është e vështirë, por le të themi se aplikohet rregulli 70/30. Kjo do të thotë se nënpunësi sugjerohet të ketë 70% aftësi të mira teknike dhe profesionale, si dhe 30% aftësi të mira komunikuese dhe bashkëpunuese.


Gjatë ekseperiencës time si lektore, thuajse cdo vit kam organizuar studentët duke i ndarë në grupe dhe duke i parë në perspektivë si nënpunës kompanie programimi, menjëherë pas diplomimit të tyre. Po përmbledh disa aftësi që duhet të zotërojë një programues, për tu punësuar ose për tu promovuar.

Programim

Aftësi teknike dhe profesionale

Sic dihet, këto aftësi janë të parat për të cilat do pyeteni në interviste. Kompanitë shpesh kërkojnë që të keni njohuri në këto fusha:

  • Bazat e programimit
    Duhet të kuptoni bazat e programimit në Java. Duhet të dini të shkruani kodin, por ajo që ju bën të dalloni nga aplikantët tjerë është të dini arsyet e përdorimit të një teknike të caktuar, e zgjedhjes së një algoritmi si dhe e optimizimit të kodit dhe performancës.
  • Mjetet kryesore të programimit
    Sot nuk preferohen programues që dinë cdo mjet por nuk zotërojnë asnjërin prej tyre. Prandaj, ju duhet të zgjidhni cilat mjete doni të praktikoni më shpesh. Kjo zgjedhje shpesh varet nga mjedisi ku po punoni, por mbase mund të filloni nga kjo listë mjetesh:
    Build tools: Maven ose Gradle.
    SCM: Git (jo GitHub. Bën dallim kjo gjë).
    Build automation: Jenkins.
    IDE: Netbeans ose Eclipse – jo thjesht për të shkruajtur kodin, por edhe për refactoring dhe debugging.
    Bug tracker: Bugzilla ose Jira.
  • Mjedise ose Frameworks
    Spring MVC për aplikacione Web.
    Njohuri në JSF.
  • Application Servers
    Cdo programues në Java duhet të dijë se si të bëjë deploy në Apache Tomcat.
    Meqë Glassfish nuk po ecën mirë, mund të provoni JBoss WildFly.
  • Zhvillim aplikacionesh në Cloud
    Regjistrohuni falas në Amazon EC ose PaaS.
    Shikoni Red Hat OpenShift si alternative e Amazon.

Aftësitë komunikuese

Njohuritë e gjëra në programim në Java janë baza e anës tuaj profesionale. Por, puna me klientet, me menaxherin e projektit dhe me kolegët kërkon edhe aftësi në komunikim.

  • Komunikimi
    Komunikimi është baza në cdo profesion. Mënyra si ndërveprojmë me mjedisin rreth nesh, se si transmetojmë problematikat dhe se si sugjerojmë zgjidhjen e një problemi, janë pjesë e komunikimit tonë të përditshëm. Aftësitë e mira në komunikim shfaqen kur përballemi para grupeve të ndyshme, të cilët ndajnë këndështrime të ndryshme nga ne.
  • Zgjidhja e problemeve
    Një programues synon gjithmonë zgjidhjen e një problemi, në ngjashmëri me një filozof apo një mendimtar. Mos u bëni programator që thjesht shkruan kodin, pa ditur të diskutojë rreth zgjidhjes së problemit. Jo vetëm do krijoni aplikacionin, por duhet ta ndërtoni në mënyrën më të mirë të mundshme. Për këtë, diskutimi dhe argumentimi ka gjithmonë rëndësinë e duhur.
  • Grupi i punës
    Cdo programues është pjesë e një grupi pune, edhe në rastet kur projekti është i thjeshtë apo i shkurtër në kohë. Ju duhet të jepni kontributin tuaj në objektivat dhe qëllimet e grupit të punës. Mos u bëni anëtari që thjesht bën pjesën e vet të punës dhe nuk përfshihet në grupin e punës.
  • Të mësuarit në mënyrë të pavarur
    Kjo është një aftësi shumë e rëndësishme që ju duhet ta zotëroni : aftësia e studimit në mënyrë të pavarur. Mos prit që kompania të ju ofrojë trajnime për mjetet ose frameworks të rinj. Ju duhet të mësoni teknologjitë e reja dhe të avancuara të fushës tuaj. Ka gjithmonë risi në Shkencat Kompjuterike, që nga projektimi front-end, deri në arkitekturën e sistemeve kompjuterike. Lexoni blog, artikuj, takoni grupe pune dhe bëhuni pjesë e diskutimeve dhe risive të reja në teknologji.

Mirëpres cdo sugjerim dhe ndarje eksperience me ju, në lidhje me sfidat tuaja per punësim si programues në Java.

 

Exit mobile version