Dëshironi të ndihmoni në formimin e të ardhmes? Dëshironi të gjeni zgjidhje inovative për problemet teknike? Ju sugjeroj të lexoni përshkrimin e programit te studimit “Teknik sistemesh dhe rrjetesh kompjuterike” për të krijuar një ide se si funksionon kjo fushë studimi dhe nëse i përshtatet apo jo synimeve tuaja.
Përshkrim i rolit Teknik sistemesh dhe rrjetesh Kompjuterike
Roli i teknik sistemesh dhe rrjetesh kompjuterike konsiston në monitorimin e funksionimit të paisjeve Hardware, Software, Sistemit të Shfrytezimit si dhe të rrjetit kompjuterik të një organizate ose administrate. Në rol përfshihet edhe monitorimi i performancës së sistemit kompjuterik si dhe zgjidhja e problemeve teknike të sistemit.
Teknikët ndihmojnë stafin e IT në mirëmbajtjen e periferikëve të sistemit, si Printer, Scanner, Fotokopje, si dhe të paisjeve të rrjetit si Laptop, Desktop, paisje Mobile, etj.
Gjithashtu roli i teknikut është në zgjidhjen e problematikave me sistemin e shfrytëzimit, për paisje të ndryshme kompjuterike. Ky sistem mund të jetë Windows, Linux ose MacOS për rastin e kompjuterve, si dhe Android apo iOS për paisjet Mobile.
Roli i teknikut të Sistemeve dhe Rrjeteve Kompjuterike nuk përfshin programimin, sepse e trajton sistemin nga ana funksionale e tij.
Programi profesional 2-vjecar
Teknik Sistemesh dhe rrjetesh Kompjuterike
pranë Universitetit të Shkodrës
Shkenca teknike e sistemeve kompjuterike fokusohet në informacionin dhe në ruajtjen e saktë të tij.
Programi i studimit 2-vjecar, cikël i parë i studimeve, me karakter profesional synon të aftësojë studentët në mirëmbajtjen e sistemeve të informacionit, paisjeve të ndryshme në rrjet si dhe të ofrojnë asistencë teknike për probleme të ndryshme Hardware dhe Software.
Në thelb të këtij programi është aplikimi në praktikë i teknikës së sistemeve kompjuterike, duke u integruar me bizneset, shëndetësinë, turizmin, ambjentin, etj.
Lëndët që zhvillohen në këtë program studimi profesional, përfshijnë:
- Sisteme Interneti,
- Rrjete Kompjuterike,
- Sisteme Shfrytëzimi,
- Kompjuter Hardware,
- Bazë të dhënash,
- Administrim dhe Siguri Sistemesh,
- Aftesi Menaxheriale.
Të gjitha këto lëndë kanë bazën në laboratoret kompjuterike dhe në praktikën profesionale, të aplikuar në disa bashkëpunime me biznesin dhe administratën.
Tregu i punës
Në epokën digjitale në të cilën po jetojmë, profesionet që kanë të bëjnë me teknologjinë dhe informacionin janë një trend në rritje. Evente të tilla si krijimi i rrjeteve globale, përdorimi i paisjeve mobile dhe të mësuarit në distancë bëjnë që cdo qytet të jetë ‘smart’ dhe të përdorë teknologjinë. Këto zhvillime bëjnë që të rritet së tepërmi kërkesa për teknik sistemesh dhe rrjetesh kompjuterike, pasi të gjitha këto paisje kërkojnë mirëmbajtje, siguri në rrjet dhe funksionalitet të plotë.