Kategori
mesimdhenie

5 këshilla para se të bëni Print temen e diplomes

Përpunimet e fundit të temës së diplomës konsistojnë në formatim dhe korrigjim. Në këtë artikull po jap 5 këshilla para se të printoni temën.

Photo by Dan Dimmock on Unsplash

Formatimi

Zakonisht, Universiteti sugjeron një format të gatshëm për çdo temë diplome. Ajo rekomandohet nga departamenti ose është online në website të Universitetit. Prandaj, tek pjesa e formatimit, ju sugjeroj të shikoni dhe njëherë:

  • Lloji dhe madhësia e shkrimit duhet të përkojë me formatin e Universitetit.
  • Hapësira mes rreshtave, si dhe detaje të Margin dhe Page Setup duhet t’i përcaktoni sipas formatit të dhënë.

Gjëja më e rëndësishme është që ju të formatoni temen e diplomes në një mënyrë të tillë që të jetë e organizuar dhe e lehtë për t’u lexuar.

korrigjimi i gabimeve

Procesi i korrigjimit është shumë i rëndësishëm. Ai përfshin rishikimin e drejtshkrimit, gramatikës dhe pikëzimit.

Një temë diplome e korrigjuar përmirëson lexueshmërinë. Gjithashtu, korrigjimi i gabimeve gramatikore tregon se e keni punuar temën me shumë vëmendje në detaje dhe saktësi.

Gjatë kohës që punoni temen e diplomes sugjeroj ta korrigjoni vazhdimisht nëpërmjet software të ndryshëm, si për shembull “Spelling and Grammar” në Word. Nëse tema e diplomës është në gjuhën shqipe, ju duhet të instaloni në editor paketat shtesë për Shqip.

Shpesh ka gabime të vogla, të cilat editori nuk arrin t’i dallojë. Për shembull nuk dallon “ne” si përemër, nga “në” si parafjalë. Ju mund t’i keni shkruar saktë ose jo, kjo përcaktohet vetëm nga konteksti i fjalisë.

Nëse keni kohë, përpiquni të lexoni secilën fjali me zë lartë, për të dalluar gabimet në secilën fjalë. Leximi me zë të lartë gjithashtu ju ndihmon të kuptoni nëse një fjali është shumë e gjatë, nuk ka presje, ose është shumë e komplikuar.

Kontrolloni përsëri literaturën

Në editimet e fundit të temës së diplomës duhet të rishikoni literaturën. Mbase kanë kaluar disa javë që kur keni shkruar listën e librave dhe artikujve ku do bazoheni për temën.

Një ide e mirë është të shikoni edhe një herë listën e librave dhe të kontrolloni nëse citimi i një libri përputhet me burimin origjinal.

Kontrollimi i informacionit që ju keni shkruar mund të jetë një proces që kërkon kohë, por duhet bërë, për të saktësuar çdo gjë në temë.

Referencat

Lista e referencave dhe citimeve gjithashtu duhet kontrolluar para se të printoni temen e diplomës.

Lista e referencave është sesioni që shikohet më shpesh në një temë diplome, pasi ajo tregon nivelin e saktësisë së punimit shkencor.

Kontrolloni në detaje nëse standardi i citimit është njëlloj si standardi i përcaktuar nga formati i Universitetit. Gjëja më e rëndësishme është të jesh në përputhje me një standard në të gjitha referencat që ke vendosur.

Tabelat dhe figurat

Së fundmi, shikoni tabelat, figurat dhe grafikët që keni vendosur në temen e diplomes. Një gabim që bëjnë shpesh studentët është që harrojnë të vendosin etiketat (caption) për çdo figurë dhe grafik.

Tabelat dhe figurat mbase mund t’i vendosni në shtojcë (appendix). Për këtë, shikoni dhe njëherë nëse në tekst po i referoheni figurës ose tabelës së saktë.

Si përfundim, mund të them se pjesa e korrigjimit të gabimeve gramatikore dhe e formatimi është mjaft e rëndësishme, por është diçka e cila nuk mbaron kurrë plotësisht. Në shumicën e librave dhe botimeve, do të gjeni gabime të vogla.

Prandaj, në një moment, duhet të përfundosh me korrigjimin e gabimeve, dhe të bësh Print temën e diplomës.

 

Exit mobile version