Kategori
notion

Perdorimi i Notion ne vitin 2023

Këtë vit kam nisë të mbaj shënime dhe të organizoj projektet freelance me një aplikacion shumë të dobishëm. Bëhet fjalë për aplikacionin Notion.
Perdorimi i Notion më ka ndihmuar për pjesën e shënimeve, me listën To-do, organizimin e punës në një aplikacion të vetëm.

Nuk është rastësi që nisa përdorimin e Notion pikërisht këtë vit. Website të ndryshme më rekomandonin këtë aplikacion. Në fakt, Forbes renditi Notion si një nga 10 aplikacionet software më të mirë për menaxhimin e projekteve, për vitin 2023, së bashku me Jira, Asana, etj.

Notion është një mix mes Google Docs, Trello dhe Evernote. Ai përfshin pjesën e kalendarit, duke krijuar një workflow (rrjedhë të ecurisës së punës) e cila më ndihmon të shoh në ecurinë e punës në mënyrë kronologjike.

Edhe për projektet si freelancer, perdorimi i Notion për pjesën e projekteve, kërkesat e klientit, listën e punëve në progres ose të përfunduar, ia vlen për mënyrën e organizimit.

Nëse nuk e keni përdorur ende Notion, më poshtë po ju jap disa orientime dhe një prezantim të shkurtër.

PËR ÇFARË PËRDORET Notion?

Vetë parimi i Notion është “hapësirë ​​pune gjithçka në një“. Në fakt, është me të vërtetë një hapësirë ​​dixhitale të cilën mund ta personalizosh duke shtuar shumë komponentë në një faqe pune. Për këtë ju vijnë në ndihmë Template (modele ose shabllone). Duke përdorë Notion, ju mund të:

  • krijoni dokumente,
  • të sistemoni një plan pune,
  • të menaxhoni projektet,
  • strukturoni shënimet.

Ju mund të vendosni gjithçka që dëshironi në një faqe, duke përfshirë menaxhimin e një projekti, kalendarin e punës, etj.

Rast konkret: pjesëmarrje në një bootcamp. Në pjesëmarrje përfshihet cdo gjë, duke nisur tek ruajtja e shënimeve për aplikacionin, links dhe referenca të ndryshme, mbase organizimi i udhëtimit për të marrë pjesë fizikisht, etj.

Të gjitha këto detaje i vendos në një faqe të vetme në Notion, dhe nuk ke pse kontrollon email-in apo kalendarin për të rikujtuar afate, data, axhendën, intinerarin e udhëtimit, etj.

Ky është nje shembull të cilin e kam aplikuar dhe shërben mjaft mirë për organizim pune. Ndërkohë ju mund të përdorni Notion edhe për të menaxhuar shpenzimet, studentët mund të organizojnë detyrat e kursit, të shënojnë afate të dorëzimit të projekteve, etj. Pra, praktikisht ofron cdo mundësi sipas nevojave tuaja të organizimit. Për shumë prej këtyre, ka template që mund t’i personalizoni.

A ËSHTË NOTION FALAS?

Notion ka katër plane me cmime të ndryshme.

➡️ Plani falas, gjatë gjithë kohës.
Ky është opsioni ideal për shumë sipërmarrës, freelancer, dhe për këdo që punon me projekte personale. Kufizimet e planit falas konsistojnë në madhësinë e skedarit që ngarkon në sistem (për shembull, madhësia e skedarit të ngarkuar duhet të jetë deri në 5 MB). Gjithashtu ky plan limiton numrin e bashkëpunëtorëve (deri në 10 kolegë).

➡️Plani Plus: $8 për cdo përdorues, në muaj.
Ky plan është krijuar për bizneset me ekipe të vogla pune. Stafi i punës në këtë plan mund të jenë deri në 100 kolegë.

➡️ Plani i biznesit: $15 për përdorues, në muaj.
Ky plan ofron të njëjtat veçori bashkëpunimi si plani Plus, por shton disa mundësi të avancuara sigurie, pra me siguri më të madhe mbi informacionet dhe skedarët e ngarkuar.

➡️ Plani i ndërmarrjes: kuotimi i çmimit dhe periudhë prove.
Ky plan ofron konsulence dhe mbështetje të avancuar për menaxhimin e punës dhe drejtimin e një organizate të tërë. Të interesuarit për këtë plan duhet të kontaktojnë fillimisht departamentin e shitjeve, për të marrë një çmim, dhe për të kërkuar një periudhe për provë.

Sigurisht, si freelancer, unë kam përdorë planin falas, i cili më mjafton me projekte individuale. Edhe limiti me skedarë deri në 5MG secili është i mjaftueshëm.

SI nis përdorimi i NOTION?

Për të startuar Notion, mund të ndiqni këto hapa:

  • Krijo nje llogari. Shkoni në website të Notion dhe klikoni Get Notion Free. Ju mund të regjistroheni me llogarinë tuaj të Google.
  • Shkarkoni aplikacionin Desktop ose aplikacionin në Smartphone.  Notion vjen me aplikacione shumë praktike për Desktop dhe Smartphone. Unë preferoj aplikacionin në Smartphone, sepse është shumë praktik dhe e përdor sa herë mbaj shënime.
  • Identifikohu. Pasi të keni konfiguruar gjithçka, ekzekutoni Notion dhe identifikohuni për të parë ambjentin e punës.

Pasi të organizoni dokumente, aplikime për intervista pune, shpenzime, planifikime udhëtimi, ejt, do të keni vërtet një hapësirë ​​pune gjithçka në një.

➡️ 🔗 Kliko këtu për të shkarkuar Template që kam krijuar në Notion, për organizimin e një pjesëmarrjeje në konferencë.

Exit mobile version